Qytetarët e Republikës së Kosovës nga janari i vitit 2023, priten të paguajnë për qeset plastike, për arsye të parandalimit të ndotjes se mjedisit. Ndërsa, gradualisht do të largohen nga përdorimi. Kështu ka thënë zëvendësministrja në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, derisa është ndalur edhe te problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset sa i përket vonesave për lëshimin e lejeve mjedisore.

Ajo ka deklaruar për KosovaPress, se përmes studimit të bërë nga ekspertë të jashtëm, kanë rezultuar në tri opsione për reduktimin apo ndalimin e qeseve plastike.

“Me ndihmën e GIZ-it, kemi angazhuar ekspertë të jashtëm të cilët kanë bërë një studim, para disa ditësh e kemi pranuar studimin ku ekspertët e kanë vlerësuar bazuar në standardet në Kosovë, kanë vlerësuar gjithashtu komponentët sociale, ekonomike dhe ekologjike, ku kanë ardhur më një përfundim që kanë prezantuar tri opsione se si mund të shkohet deri te reduktimi apo deri te ndalimi i ndotjes nga plastika njëpërdorimshme, në këtë rast qeset. Propozimi i parë ka qenë që në mënyrë vullnetare, qytetari mos me i marrë qeset në makete, opsioni i dytë ka qenë të vendoset një taksë, e cila do ta bënte qesen me pagesë, ndërsa opsioni i tretë ka qenë që të largohet fare prej përdorimit”, theksojë Çavdarbasha.

Çavdarbasha ka shtuar se duke pasur parasysh që edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë larguar qeset e plastikës nga përdorimi, ata më përpara e kanë përdorur opsionin që fillimisht të bëhet qesja me pagesë, pastaj tranzicioni të bëhet gradualisht.

“Fillimisht prej janarit të vitit 2023 do të fillojnë qeset plastike të bëhrn me pagesë dhe gradualisht të shikohet se si të ndalohet fare përdorimi i tyre në treg, po presim që nga viti tjetër të legjitimohet, kjo do të bëhet bazuar në udhëzimin administrativ, i cili do të fillojë shumë shpejt të draftohet dhe të miratohet në Qeveri”, vijojë Çavdarbasha.

Zëvendësministrja gjithashtu ka shtuar që studimi është bërë duke përfshirë edhe qytetarët, ku shpreson se do të pritet me pozititvitet, pasi është edhe veprim praktik.

Ajo tha se propozimi për çmimin e qeseve është bërë me standardin e jetesës në Kosovë, ku qesja pritet të jetë 5 deri 10 cent.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *