“Dashtë Zoti që në vitin 2023 të fillojnë punimet në Kullat e Jasharëve”.
Këto janë fjalët plot pesimizëm të Bekim Jasharit, birit të heroit kombëtar Hamëz Jashari, kur pyetet për mundësinë e rinovimit dhe konservimit të Kullave të familjes së tij, që i dhanë të gjitha për Kosovën.
Sipas Bekim Jasharit, hera e fundit kur është intervenuar në Kompleksin e Jasharëve, nuk kishte qenë nga institucionet e Kosovës, por këtë e kishte bërë një donator nga Turqia, i cili në mënyrë vullnetare kishte investuar për ta rregulluar kompleksin e familjes Jashari.
”Mos të merri me fjalë por me vepra sepse ky proces është duke mos përfunduar. Ky proces po rikthehet në piken zero nga ndërrimi i qeverive”, ka thënë Bekim Jashari për portalin Dukagjini.
Tutje ai ka treguar se çfarë i kishin deklaruar qeveritarët duke i thënë se ‘nuk duhet të kursehet asgjë kur është puna për kullën e Adem Jasharit’, por për nipin e tij, Bekim Jashari, ky projekt nuk është duke u trajtuar me prioritet.
Bekim Jasharit, biri i heroit kombëtar Hamëz Jashari
“Po shpresoj që ky komitet ndërministror që ta merrë shumë seriozisht, dhe të vazhdojnë me punët të cilat janë të domosdoshëm për ruajtjen e Kullave, se për ndryshe mund të pendohemi nesër, dhe do të na gjykojnë brezat e ardhshëm”, ka përfunduar Jashari.
Edhe drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, nuk ka dhënë shpresa se punimet mund të fillojnë para pranverës së vitit 2023.
Ai ka bërë të ditur se komuniteti ndërministror e kishte caktuar një komision të ekspertëve për ekzaminimin e gjendjes së Kullave, dhe po ashtu ata kanë pasur për detyrë hartimin e detyrës projektuese për konservimin dhe renovimin e Kullave të Jasharëve.