Vendimin për konvertimin e targave si dhe fletëlëshimet për dokumente me hyrje-dalje, si masë reciprociteti, ka bërë që serbët civilë në veri të protestojnë dhe krijojnë trazira përgjatë ditës së djeshme.
Protestën ata e shënuan duke vendosur barrikada në rrugët kryesore që lidhin veriun me pikat kufitare.Kjo ka bërë që Policia e Kosovës të marrë nën mbikëqyrje situatën, duke mbyllur përkohësisht pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, raporton Indeksonline.
Ndërkohë, Policia vazhdimisht ka ofruar informacione zyrtare, ku ndër të tjerash, ka bërë me dije se ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të saj, por që asnjë zyrtar policor nuk është lënduar.
Civilët serbë, të cilët dyshohen të kenë qenë të përfshirë në vendosjen e barrikadave, kanë sulmuar edhe qytetarë.Janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve” deklaroi mbrëmë Policia.Ndërkohë, krahas këtyre zhvillimeve, serbët kanë aktivizuar edhe alarmin e njohur si “usbuna”, i cili përgjatë ditës së djeshme u lëshua disa herë, duke shkaktuar shqetësim tek banorët e veriut.
Krerët shtetërorë, Albin Kurti e Vjosa Osmani, bënë thirrje për mos-eskalim të situatës, duke thënë se kjo masë reciprociteti nuk parashihet të ngjallë konflikte e as të tensionojë situaten.
Në anën tjetër, shumë bashkatdhetarë ngelën të bllokuar në këto pikëkalime kufitare, duke u detyruar të kthehen mbrapa dhe të zgjedhin rrugë të tjera alternative për të hyrë në Kosovë.