Konfliktet mesa familjes së gruas dhe dhëndrit, janë të shpeshta në vendin tonë. Ato shpesh eskalojnë edhe në fyerje, të shara e sulme fizike. Një rast i ngjashëm ka ndodhur mbrëmë në Rahovec, raporton Gazeta Sinjali.
Dy persona janë arrestuar pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht ish-dhëndrin e tyre.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50 në rrugën ‘Sheh Mihedini’, ku të dyshuarit kanë shkuar në banesën e ish-bashkëshortit të motrës së tyre dhe si pasojë e disa mosmarrëveshjeve në të kaluarën, kanë filluar ta godasin me grushte 41-vjeçarin.
Ankuesi ka pësuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Ai rastin e ka denoncuar edhe në Polici, me ç’rast njësitet policore kanë shoqëruar njërin nga të dyshuarit në stacion për intervistim, ndërsa tjetri është arratisur.
Ndërkohë më vonë në stacion është paraqitur edhe i dyshuari tjetër, i cili ka rezultuar në ndikim të alkoolit.
Me urdhër të prokurorit, të dy vëllezërit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.