Opinionisti Skënder Zogaj përmendi mungesën e presidentit Rugova, i cili me qetësi dhe saktësi merrte vendime të duhura për Kosovën në raport me Serbinë.
“Sa më shumë që po kalon koha aq më mirë po shihet mungesa e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, i cili me qetësi, ngadalë dhe saktë merrte vendime, pasi e kishte llogaritur mirë e mirë mundësinë e realizimit të vendimeve, që ishte kriter i ecjes hap pas hapi, por përpara. Po e kujtoj mënyrën e veprimit të Presidentin Rugova, e cila e ka çmontuar politikën dhe dhunën e okupatorit serb, duke e sjellur Kosovën te liria dhe pavarësia. Por, këtu ngec puna, sepse nëse udhëheqja e vendit bie në duar diletantësh skajshmërisht injorantë, prandaj, Kosova në 15 vitet e fundit po vendnumëron keq, duke u rrezikuar të rrëshqas mbrapa”, deklaroi ai.
Sipas tij, shteti serb po vazhdon ta mbajë peng sovranitetin e shtetit tonë, derisa vlerësoi se e keqja filloi me bisedimet teknik të Edita Tahirit.
“Serbia ka arritur plotësisht ta mbaj peng sovranitetin e Kosovës. E keqja ka filluar me “bisedimet teknike” të Edita Tahirit, e cila e ka fut Kosovën në udhë qorre! Kostoja e gabimit është e madhe sepse, Serbia qeverisë me një pjesë të vendit dhe të detyron të zmbrapsesh, siç ndodhi këto ditë, kur sërish u shfaqën barrikadat kundër vendimit të Qeverisë për reciprocitet të “dokumenteve të udhëtimit dhe targat””, theksoi Zogaj.
Po ashtu, opinionisti potencoi se shtatori do të jetë një sprovë e re për qeverinë Kurti, pasi kryeministri do të përballet me pengesa të reja dhe të forta, ku opozita nuk është në gjendje të bashkëpunojë dhe ta ndihmojë atë.
“Kjo që ndodhi ka qenë krejtësisht e ditur se do të ndodhte, sepse vendimit është dashur t’i sigurohet mekanizmi real politik e diplomatik i zbatimit të tij! Kjo nuk ka ndodhur prandaj, pa asnjë dilemë tërheqja e vendimit ishte veprim i duhur! Pas kësaj nuk mendoj se zgjidhja e situatës do të jetë më e lehtë. Jo, sfida do të thellohet dhe rëndohet, sepse Serbia tash do të manifestoj kushtëzime në dialogim, duke kërkuar krijimin e asociacionit të komunave serbe! Ky kushtëzim do të përkrahet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, prandaj kryeministrin Kurtin e presin pengesa të reja e të forta, shumë të vështira! Kurti është krejtësisht i varur nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga qëndrimi i opozitës, e cila nuk ka disponim që ta mirëkuptojë dhe ndihmojë qeverinë Kurti! Shtatori është sprovë e re, me të panjohura të reja”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.