Administrata Doganore Kroate publikoi sot udhëzimet se sa dhe çfarë lloj mallrash mund të transportohen përtej kufirit, sipas të cilave banorët e vendeve të treta, përfshirë Kosovën, nuk lejohen të sjellin mish, qumësht, si dhe produkte mishi e qumështi.

Këto udhëzime vlejnë edhe për Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën. Sipas dekretit, udhëtarëve u lejohet të sjellin bagazhe personale, ku përfshihen gjëra personale të arsyeshme të nevojshme për udhëtim dhe qëndrim jashtë vendbanimit të përhershëm, si këpucë, rroba, sende higjienike, pajisje elektronike mobile.

Gjithashtu thuhet se për mallrat e importuara nga udhëtarët që banojnë jashtë territorit doganor të Bashkimit Evropian, miratohet importi i përkohshëm me përjashtim të plotë nga detyrimet e importit dhe detyrimet e tjera publike.

Shtohet se përjashtimi sasior nga taksat doganore, TVSH-ja dhe akciza i referohet produkteve si ato të duhanit dhe, për shembull, vlen për sasinë deri në 200 cigare ose 250 gramë duhan për pasagjerët në transportin ajror, derisa në transportin rrugor dhe hekurudhor, sasitë e lejuara janë pesë herë më pak.

Sipas rregullores së sipërpërmendur, ka edhe kufizime dhe ndalime sasiore për importin e ushqimeve me origjinë shtazore që pasagjerët mund të sjellin në bagazhin e tyre personal pa u kontrolluar nga inspektori veterinar kufitar.Gjithashtu, ndër të tjera thuhet se asnjë mish, qumësht, apo produkte qumështi dhe mishi nuk mund të importohet nga vendet e treta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *