Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës insistojnë të përfshihen në projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, në të kundërtën do të dalin për të protestuar para Kuvendit të Kosovës. Kryetari i shoqatës së Familjarëve së Dëshmorëve, Xhavit Jashari thotë për KosovaPress se protesta do të jetë forma e parë përmes së cilës do të kundërshtojnë miratimin në lexim të dytë të këtij projektligji derisa shton se nuk do të mbajnë përgjegjësi nëse protesta do të dalë jashtë kontrollit. Ai shton se përgjegjësia bartet të qeveria dhe jo të veteranët të cilët, sipas tij, po i kërkojnë të drejtat e tyre.

Qeveria thotë se paga minimale dhe benefecioni i veteranëve janë çështje të ndara ndërsa insiston në një ligj të ri me lista të pastruara dhe më pas edhe mundësi që kjo kategori të trajtohet, sipas tyre, më dinjitetshëm.

Veteranët kanë protestuar dy herë para qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë pagën minimale.

Jashari thotë se të njëjtin veprim do ta ndërmarrin në ditën kur në seancën e Kuvendit do të dalë për votim në lexim të dytë ky projektligj.

“Ne do të protestojmë, ne do të kundërshtojmë, do të konsultohemi edhe me organet tona drejtuese, Organizata e Veteranëve dhe shoqatat, në këtë rast Invalidëve dhe Familjeve të Dëshmoreve, dhe forma e parë do të jetë protesta dhe nuk garantojmë nëse eskalon situata sepse është qeveria dhe kryeministri në këtë vend që po e bën një veprim për të ardhur deri këtu dhe mendoj që përgjegjësitë bien mbi atë që shkakton problemet dhe jo ata që kërkojnë të drejtat e tyre”, thotë Jashari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *