Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenas do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme, ku përveç pozitave tjera, do të zgjedhet edhe Kryetari i Qendrës.
Asamblisti i VV-së në Drenas, Muhamet Kurtaj ka njoftuar se ka shpallur kandidaturen për të marrë në duar timonin e këtij subjekti në Drenas, shkruan DrenicaOnline.
Postimi i asamblistit Kurtaj:
Duke dashur t’i përgjigjem kërkesës masovike të aktivistëve të qendrës tonë, dhe duke dashur që ta jetësoj vullnetin e tyre, përmes këtij shkrimi, po ju njoftoj se, unë, Muhamet Kurtaj, edhe zyrtarisht po e shpall kandidaturen time për Kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Qendra- Drenas.
Qendra jonë është një nga qendrat më të rëndësishme të Lëvizjes, prandaj, asaj i duhet një udhëheqës që do t’ia dedikonte të gjithë energjinë dhe potencialin, për ta rritur dhe fuqizuar, ashtu siç e meriton.
Unë jam një nga aktivistët e parë të qendrës së LVV-së në Drenas, dhe e di në thelb punën dhe funksionimin e saj. Prandaj e kam shprehur gatishmerinë time për të t’u ngarkuar me përgjegjesinë e Kryetarit të qendrës tonë.
Si kryetar i ardhshëm, zotohem të bashkëpunoj me çdo anëtar të qendrës tonë dhe jo vetëm, duke qenë kështu zbatuesi i ideve kreative dhe projekteve që kontribuojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, e rrjedhimisht në jetësimin e programit të Lëvizjes Vetëvendosje!
Unë jam Asamblist i LVV-së në Komunën e Drenasit, e kësisoj jam në hap me zhvillimet në qytetin tonë, dhe duke besuar se posedoj kapacitetin e nevojshëm profesional, etik, moral e njerëzor për ta drejtuar këtë qendër, unë do të punoj ditë e natë që Qendra e Drenasit të ecë me hapa të suksesshëm e gjigandë drejt sfidave që do t’i sjellë e ardhmja!
Të nderuar miq e anëtarë të LVV-së, unë pres përkrahjen tuaj për këtë kandidaturë, dhe uroj që edhe nga ky proces të dalim faqebardhë!
Me respekt,
Muhamet Kurtaj